Gå direkte til innhold
Startsiden Om UNE UNE in other languages Ky është Komisioni i Ankimit të Çështjeve për të Huajtë (UNE)

Ky është Komisioni i Ankimit të Çështjeve për të Huajtë (UNE)

UNE është një organ administrativ që funksionon në mënyrë të ngjashme me gjykatën dhe që shqyrton, në përputhje me Ligjin për të Huajtë, ankesat e paraqitura ndaj vendimeve të Drejtorisë për të Huajtë (UDI). UNE varet administrativisht nga Ministry of Justice and public security. Ministria udhëheq veprimtarinë e UNE nëpërmjet ligjit, rregullores, buxhetit dhe përcaktimit të prioriteteve të përgjithshme. Ministria nuk mund të japë urdhëra në lidhje me interpretimin e ligjit, vlerësimin e fakteve ose vendimin e çështjeve të veçanta.

UNE është një organ administrativ që funksionon në mënyrë të ngjashme me gjykatën dhe që shqyrton, në përputhje me Ligjin për të Huajtë dhe Ligjin mbi Shtetësinë, ankesat e paraqitura kundër refuzimeve të Drejtorisë për të Huajtë (UDI). UNE varet administrativisht nga Ministria e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike. Ministria udhëheq veprimtarinë e UNE-s nëpërmjet ligjit, rregulloreve, buxhetit dhe përcaktimit të prioriteteve të përgjithshme, por nuk mund të urdhërojë UNE-n në lidhje me interpretimin e ligjit, vlerësimin e fakteve ose vendimin e çështjeve të veçanta.

UNE shqyrton ndërmjet të tjerash, çështjet që kanë të bëjnë me kërkesat për mbrojtje (azil), bashkim familjar, leje qëndrimi, përzënien nga Norvegjia dhe dhënien e shtetësisë norvegjeze.

UNE ka më shumë se 350 të punësuar, nga të cilët rreth 30 vetë janë drejtues komisioni, të kualifikuar të punojnë si gjyqtarë. Përveç këtyre, UNE ka edhe rreth 300 qytetarë që kanë pranuar vullnetarisht detyrën e anëtarit të komisionit të ankimit.

UNE mund të marrë vendim në disa mënyra. Vendimi mund të merret nga mbledhja e komisionit me pjesëmarrjen e ankuesit, nga mbledhja e komisionit pa pjesëmarrjen e ankuesit, nga drejtuesi i vetëm i komisionit pas përgatitjes së çështjes nga sekretariati, ose nga vetë sekretariati. Një nga drejtuesit e komisioneve të ankimit vendos për mënyrën e shqyrtimit të çështjeve të veçanta.

Në përputhje me Ligjin për të Huajtë, çështjet në të cilat nuk kërkohet vlerësimi në thelb i rrethanave të çështjes, vendosen pa u mbledhur komisioni i ankimit, nga drejtuesi i vetëm i komisionit të ankimit ose nga sekretariati. Të tilla mund të jenë, ndërmjet të tjerash, çështjet e përcaktuara nga vetë ligji, në të cilat është e thjeshtë që të konstatohet nëse plotësohen kërkesat konkrete të Ligjit dhe të Rregullores për të Huajtë. Mbledhja e komisionit të ankimit thirret kryesisht për shqyrtimin e çështjeve në të cilat kërkohet vlerësimi në thelb i fakteve të çështjes.

Në shumicën e rasteve, ankuesi do të marrë pjesë vetë në mbledhjen e komisionit të ankimit. Por komisioni i ankimit mund të mblidhet edhe pa pjesëmarrjen e ankuesit. Mbledhja e komisionit të ankimit pa pjesëmarrjen e ankuesit mund të ndodhë, për shembull, kur ankuesi dhe UDI kanë rënë dakord mbi rrethanat e çështjes, domethënë kur shpjegimi i ankuesit është marrë parasysh përpara dërgimit të çështjes tek UNE. Megjithatë, pjesëmarrja e ankuesit është e rëndësishme në rastet në të cilat ankuesi mund të kontribuojë në shpjegimin e rrethanave të çështjes.

Në mbledhjen e komisionit marrin pjesë një drejtues komisioni dhe dy anëtarë të komisionit që janë jo profesionistë. Sekretariati i UNE-s është përgjegjës për përgatitjen e çështjeve që do të shqyrtohen në mbledhjen e komisionit. Përpara fillimit të mbledhjes, drejtuesi i komisionit të ankimit u paraqet anëtarëve të komisionit dokumentet e çështjes. Mbledhjet zhvillohen me dyer të mbyllura.

Drejtuesi i komisionit të ankimit e fillon mbledhjen e komisionit të ankimit duke parashtruar çështjen që do të shqyrtohet, duke paraqitur pjesëmarrësit dhe paralajmëruar ankuesin mbi detyrimin për të treguar vetëm të vërtetën. Ankuesi gjatë mbledhjes së komisionit të ankimit, i përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të komisionit dhe avokatit (përfaqësuesit ligjor) të tij. Përfaqësuesi ligjor i ankuesit ka të drejtë të bëjë një përmbledhje të shkurtër të çështjes përpara mbylljes së mbledhjes. Vendimet për çështjet që shqyrtohen në mbledhjen e komisionit merren me shumicë votash.

Vendimi i marrë për një çështje të veçantë nuk mund të rishqyrtohet as nga Ministri, as nga Këshilli i Ministrave, dhe as nga drejtuesit e UNE-s, por mund të ankohet përpara gjykatës për shqyrtim gjyqësor të aktit administrativ.

Përditësuar së fundmi me datë 13.11.2012